Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, ndërsa rrinim ulur tek i Dërguari i Allahut ﷺ, u shfaq një njeri fort rrobëbardhë e tejet flokëzi, tek i cili nuk vëreheshin shenja udhëtimi. Atë nuk e njihte asnjëri prej nesh. U ul pranë Profetit ﷺ duke i vendosur gjunjët e tij afër gjunjëve të të Dërguarit e duke i vënë shuplakat e duarve të tij mbi kofshët e veta, e në atë rast pyeti: “O Muhamed, më trego për Islamin.” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Islami është të dëshmosh se nuk meriton të adhurohet askush përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij, të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh Ramazanin dhe të kryesh haxhillëkun (këtë të fundit) po pate mundësi.” Ai i tha: “Ashtu është.” Ne u çuditëm, sepse vetë e pyeste, vetë ia vërtetonte! Ai tha: “Më trego për besimin (imanin).” I Dërguari tha: “Besimi është të besosh në Allahun, në melekët, në librat e Tij, në të dërguarit, në Ditën e Fundit dhe të besosh në paracaktimin (kaderin), qoftë i mirë, qoftë i keq.” Ai i tha: “Ashtu është. Më trego për ihsanin (përsosurinë e adhurimit).” I Dërguari tha: “Ta adhurosh Allahun sikurse të jesh duke e parë Atë. Edhe pse ti nuk e sheh Atë, Ai gjithsesi të sheh ty.” Ai i tha: “Më trego për Kiametin.” I Dërguari tha: “Në lidhje me këtë i pyeturi nuk di më shumë sesa pyetësi.” Ai i tha: “Atëherë, tregomë për shenjat e tij.” I Dërguari tha: “(Kiameti vjen) kur robëresha ta lindë zonjën e saj dhe kur t’i shohësh këmbëzbathurit, të zhveshurit, fukarenjtë e barinjtë e deleve duke garuar për të bërë ndërtesa sa më të larta.” Pastaj, ai u largua, kurse ne qëndruam për një kohë. Më pas, i Dërguari më tha: “O Omer, a e di kush është ai që pyeste.” Unë thashë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.” Ai tha: “Ai qe Xhibrili dhe erdhi për t’jua mësuar fenë.”