Shpjegimi
Omer ibn Hattabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) na tregon se Xhibrili (alejhi selam) u shfaq para sahabëve (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) në formën e një njeriu që nuk njihej. Karakteristikë e tij ishte se rrobat i kishte fort të bardha dhe ishte tejet flokëzi, tek i cili nuk vëreheshin shenja udhëtimi, fjala vjen, të shfaqej lodhja, pluhuri, flokët e ndarë dhe rrobat e pista. Askush nga të pranishmit nuk e njohu. Sahabët ishin ulur me Profetin ﷺ, kështu që ai u ul para Profetit ﷺ në atë mënyrë si ulet nxënësi dhe e pyeti për Islamin dhe kësisoj Profeti ﷺ u përgjigj me këto shtylla që përfshijnë pranimin e dy dëshmive, faljen e pesë namazeve ditore në vazhdimësi, dhënien e zekatit atyre që e meritojnë, agjërimin e muajit Ramazan dhe kryerjen e haxhillëkut për atë që ka mundësi.
Pyetësi tha: "Ashtu është." Kështu, sahabët u befasuan nga pyetja e Xhibrilit (alejhi selam), që tregonte në pamje të jashtme se ai nuk e dinte atë, e pastaj ai e miratoi vetë përgjigjen e Profetit.
Xhibrili (alejhi selam) pastaj e pyeti për besimin dhe ai iu përgjigj me këto gjashtë shtylla, të cilat përfshinin besimin rreth ekzistimit të Allahut të Lartësuar dhe cilësive të Tij, si dhe veçimin e Tij me veprat e Veta, bie fjala, krijimi, si dhe veçimin e Tij me adhurim. Githashtu besimin se melekët, që krijoi Allahu, janë robër të nderuar që nuk e kundërshtojnë Allahun e Lartësuar dhe me urdhrin e Tij ata punojnë. Besimin në librat që u janë shpallur të dërguarve nga Allahu i Lartësuar, si: Kurani, Tevrati, Inxhili e të tjerë. Besimin në të Dërguarit, të cilët e kumtojnë nga Allahu fenë e Tij. Prej tyre janë: Nuhu, Ibrahimi, Musai, Isai dhe i fundit prej tyre është Muhamedi ﷺ dhe profetët e të dërguarit e tjerë. Besimin në Ditën e Fundit dhe gjërat që vijnë pas vdekjes, si: varri e jeta në varreza dhe se njeriu do të ringjallet pas vdekjes dhe do të merret në llogari, si dhe fundi i tij do të jetë ose në Xhenet, ose në Zjarr. Besimin se Allahu i paracaktoi gjërat sipas dijes së Tij si dhe ndodhën sipas urtësisë, shkrimit e vullnetit të Tij. Ato ndodhën mu ashtu siç i përcaktoi dhe i krijoi Allahu. Pastaj e pyeti për ihsanin (përsosurinë e adhurimit), kështu që i tregoi se ihsani është: "Ta adhurosh Allahun sikurse të jesh duke e parë Atë." Nëse nuk mund ta realizojë të arrijë deri te kjo pozitë, atëherë: "Ta adhurojë Allahu e Lartësuar sikur ta shohë Allahu atë." Shkalla e parë është: adhurimi i Allahut sikur je duke e parë, kjo është shkalla më e lartë, ndërsa e dyta është shkalla e vëzhgimit (ndjenjës se Allahu të vëzhgon).
Më pas e pyeti për Kiametin se kur do të ndodhë e Profeti ﷺ sqaroi se dijen rreth Kiametit e ka mbajtur Allahu të fshehtë në dijen e Tij, kështu që askush përveç Tij nuk e di, rrjedhimisht as i pyeturi e as pyetësi.
Më pas e pyeti për shenjat e Kiametit e pastaj sqaroi se ndër shenjat e Kiametit është se do të shtohen robëreshat dhe fëmijët e tyre, ose do të shtohet mosrespektimi i nënave nga ana e fëmijëve duke i trajtuar si robëresha. Gjithashtu, barinjve të deleve dhe të varfërve do t'u hapet kjo botë në fundin e botës, kështu që do të mburren ndaj njëri-tjetrit rreth zbukurimit dhe ndërtimit të ndërtesave (të larta).
Pastaj Profeti ﷺ tregoi se pyetësi ishte Xhibrili (alejhi selam) i cili erdhi për t'ua mësuar sahabëve këtë fe besimdrejtë.