Hitan ibn Abdullah Rrekashiu tregon: "Njëherë u fala me Ebu Musa Eshariun dhe në uljen e fundit, një burrë nga të pranishmit tha: "Namazi sjell mirësinë dhe pastërtinë." Kur Ebu Musai kreu namazin dhe dha selam, u kthye dhe tha: "Kush tha kështu e kështu?" Të pranishmit heshtën. Ai sërish përsëriti: "Kush nga ju tha kështu e kështu?" Të pranishmit vazhduan të heshtin. Ebu Musai tha: "Ndoshta fole ti, o Hitan?"
- Nuk fola unë, - tha Hitani, - kësaj i frikohesha, se do të më fajësoje mua.
Në atë rast, një burrë nga të pranishmit tha: "Unë i thashë ato fjalë, por mendova se po bëja mirë." Atëherë Ebu Musai tha: "A nuk dini, vallë, çfarë duhet të thoni në namazin tuaj?! I Dërguari i Allahut ﷺ na ligjëroi dhe na qartësoi Sunetin dhe na mësoi namazin. Ai na pati thënë: “Kur të faleni, drejtojini safat dhe le t'ju prijë dikush nga ju. Kur të marrë tekbir, merrni edhe ju. Kur të thotë: "Gajril-magdubi alejhim ve ledal-lin", (El Fatiha, 7) thoni: "Amin!", sepse Allahu ju përgjigjet. Kur të marrë tekbir dhe të bjerë në ruku, merrni edhe ju tekbir dhe bini në ruku. Imami bie dhe ngrihet para jush nga rukuja.” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Kjo (kompensohet) me të. Kur të thotë: "Semiallahu limen hamideh", thoni: "Allahumme, rabbena lekel-hamd", Allahu ju dëgjon. Allahu i Lartësuar, nëpërmjet gjuhës së të Dërguarit të Tij ﷺ, ka thënë: "Allahu i përgjigjet atij që e falënderoi (semiallahu limen hamideh)." Kur të marrë tekbir dhe të bjerë në sexhde, merrni edhe ju tekbir dhe bini në sexhde. Imami bie dhe ngrihet para jush nga sexhdja.” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Kjo (kompensohet) me të. Kur të qëndrojë në ulje, gjëja e parë që thoni, le të jetë: "Et-tehijatu et-tajibatu es-salavatu lil-lahi, es-selamu alejke ejjuhen-nebijju ve rahmetullahi ve berekatuhu, es-selamu alejna ve ala ibadil-lahis-salihin, eshhedu en la ilahe il-lallah, ve eshhedu enne Muhammeden abduhu ve resuluh. (Përshëndetjet, selamet dhe mirësitë i takojnë Allahut. Paqja, mëshira dhe bekimi qofshin mbi ty, o Pejgamber! Paqja qoftë mbi ne dhe mbi të gjithë robërit e mirë! Dëshmoj se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është i Dërguari i Allahut)."