Shpjegimi
I Dërguari i Allahut ﷺ e madhëronte (Allahun me) këtë dhikër madhështor pas selamit të çdo namazi farz dhe kuptimi i tij është:
"S’ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut", respektivisht nuk ka zot që meriton të adhurohet pos Allahut.
"që është Një dhe i Pashoq", respektivisht Ai nuk ka ortakë në adhurimin, zotërimin dhe emrat e cilësitë e Tij.
"Atij i takon sundimi", respektivisht Atij i takon sundimi absolut, i përgjithshëm e gjithëpërfshirës, sundimi i qiejve e i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet ndërmjet tyre.
"dhe lavdia", respektivisht Ai përshkruhet me përsosuri absolute, i lavdëruar me përsosuri nga dashuria dhe madhërimi në të gjitha rrethanat, në mirëqenie dhe në gjendje të vështirë.
"Dhe Ai është i Plotfuqishëm për çdo gjë!", pra fuqia e Tij është e përkryer dhe e plotë në çdo aspekt, asgjë nuk mund t'i shpëtojë Atij dhe asgjë nuk është e pamundur për Të.
"S’mund të bëhet asnjë lëvizje dhe nuk ka fuqi për asgjë pa ndihmën e Allahut!" Pra, nuk ka ndryshim nga një gjendje në tjetrën, ose nga mosbindja ndaj Allahut në bindje ndaj Tij, e as fuqi, përveçse me Allahun, sepse Ai është Ndihmësi dhe tek Ai mbështetemi.
"S’ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe nuk adhurojmë asnjë tjetër përveç Tij!", vërtetim i kuptimit se Ai është i denjë për adhurim dhe vërtetim i mohimit të idhujtarisë, dhe se askush nuk meriton të adhurohet përveç Tij.
"Dhuntitë dhe mirësitë janë prej Tij", Ai është që i krijon dhe i posedon dhuntitë dhe ia dhuron kujt të dojë nga robërit e Vet.
"dhe vetëm Atij i takon lavdi më i bukur!", për Qenien, cilësitë, veprat dhe dhuntitë e Tij, si dhe për çdo gjendje.
"S’ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut! Adhurimin e kryejmë me sinqeritet vetëm për Të", pra, duke e veçuar Atë me adhurim, e jo për syefaqësi e prestigj.
"edhe pse këtë e urrejnë jobesimtarët!", pra, jemi të qëndrueshëm në veçimin e Allahut në adhurim, edhe pse këtë e urrejnë jobesimtarët.