Shpjegimi
Ezani është për të informuar njerëzit se koha e namazit ka filluar. Fjalët e ezanit janë fjalë gjithëpërfshirëse për doktrinën e besimit.
Në këtë hadith, Profeti ﷺ sqaroi atë që është e ligjësuar gjatë dëgjimit të ezanit, respektivisht dëgjuesi e thotë atë që e thotë myezini. Nëse myezini thotë: "Allahu ekber", atëherë dëgjuesi thotë: “Allahu ekber” e kështu me radhë. Me përjashtim të rastit kur myezini thotë: "Haje ales-salah", dhe: "Haje alel-felah", ky thotë: "La havle ve la kuvete il-la bil-lah."
Profeti ﷺ sqaroi se, kush e përsërit ezanin pas myezinit, sinqerisht nga zemra e tij, do të hyjë në Xhenet.
Kuptimet e fjalëve të ezanit: “Allahu ekber”, që do të thotë se Ai, i Lartësuari, është më madhështori, më i çmuari dhe më i madhi se çdo gjë e çdokush tjetër.
"Eshhedu en la ilahe il-lallah", që do të thotë se nuk meriton të adhurohet askush me të drejtë pos Allahut.
"Eshhedu enne Muhammeden resulullah", pra, e pranoj dhe dëshmoj me gjuhën e zemrën time se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, të cilin e dërgoi Allahu i Lartmadhërishëm dhe është obligim t'i bindemi atij.
"Haje ales-salah", që do të thotë: Ejani në namaz! Ndërkaq, fjala e dëgjuesit, kur thotë: "La havle ve la kuvete il-la bil-lah", e ka kuptimin: Nuk ka rrugë për të shpëtuar nga pengesat për të kryer adhurim dhe nuk ka forcë për ta bërë atë e as fuqi për të bërë ndonjë gjë, përveçse me suksesin e Allahut të Lartësuar.
"Haje alel-felah", që do të thotë: Ejani te shkaku i shpëtimit, që është fitimi i Xhenetit dhe shpëtimi nga Xhehenemi.