Shpjegimi
Profeti ﷺ në këtë hadith paralajmëroi kundër tijeras (besimit në ogure të zeza), që nënkupton besimin në ndjelljen e së keqes të diçkaje që dëgjohet ose shihet, përfshirë zogjtë, kafshët, njerëzit me të meta, numrat, ditët etj. Fjala tijera, që nënkupton besimin në ogure të zeza, rrjedh nga fjala “tajr”, që do të thotë “zog”, sepse në periudhën paraislame, arabët, kur dëshiron të bënin ndonjë punë, qoftë udhëtim e tregti, qofshin gjëra të tjera, e kishin zakon të lëshonin një zog. Nëse ai fluturonte në anën e djathtë, atëherë kishin mendim të mirë dhe nisnin punën që ia kishin mësyrë. Por, nëse zogu fluturonte në anën e majtë, atëherë mendonin se kjo ishte një shenjë ogurzezë, prandaj hiqnin dorë nga ajo punë. Profeti ﷺ tregoi se kjo është shirk. Besimi në ogure të zeza është shirk, për faktin se askush nuk e sjell të mirën përveç Allahut dhe askush nuk e largon të keqen përveç Tij, të Vetmit, i Cili nuk ka ortak.
Ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përmendi se njëfarë mendimi ogurzi mund ta godasë zemrën e një muslimani, por ai duhet ta largojë atë duke u mbështetur tek Allahu dhe duke i marrë masat.